ITSHKSH, viti 2019 shpallet “Viti i Vilsonit”

Shkup, 16.01.2019 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, pas përmbylljes së suksesshme të vitit 2018, me shumë aktivitete, si Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, ka përgatitur një plan-program mjaft proaktiv të punës edhe për vitin 2019, i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Këshilli të Institutit.

Në bashkëpunim me Prishtinën dhe Tiranën, viti 2019 është shpallur si “Viti i Vilsonit”, në shenjë nderimi të ish-presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856–1924), i cili ishte mbrojtësi më i flaktë i Shqipërisë në Konferencën e Versajës në Paris, duke kërkuar vendosjen e paqes mbi parimin e vetëvendosjes së popujve.

Gjatë vitit 2019, po ashtu me një pjesë të bujshme të aktiviteteve hulumtuese-shkencore dhe botuese, punonjësit shkencor të Institutit do të fokusohen në studimet përkatëse albanologjike në rajonin e Pellagonisë, përkatësisht Manastirit.

Ndër aktivitetet tjera për këtë vit veçohen: shënimi i 20-vjetorit të luftës së Kosovës dhe eksodit masiv, 100-vjetori i themelimit të Xhemijetit, 100-vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, 70-vjetori i vdekjes së Mid’hat Frashërit, 111-vjetori i Kongresit të Alfabetit, Dita Ndërkombëtare e Arkivave, etj. Nga konferencat shkencore mund të veçohen: “Krerët myslimanë në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni”, “Ballkanologjia sot – komunikime ndërballkanike”, “Dasmat në trevat shqiptare”, punëtoria “Veshja në fotografi”, etj.

Ndërsa, nga projektet hulumtuese, sivjet po fillohet me realizimin e projekteve afatgjata dhe mjaft të rëndësishme, si “Fjalor Enciklopedik (Shqiptarët e Maqedonisë)”, “Lëvizjet kulturore në Maqedoni (shek. XIX-XX)”, etj.

Ndryshe, në programin e sivjetshëm vjetor, Instituti ka paraparë të zhvillojë rreth 15 projekte hulumtuese, mbi 20 aktivitete shkencore – promovuese, mbi rreth 30 botime, dhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me Tiranën e Prishtinën, si dhe qendrat e mëdha evropiane dhe amerikane. /www.itsh.edu.mk/

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Ministri Fazliu u takua me drejtorin e Institutit, Skender Asani

Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, realizoi një takim pune me drejtorin e Institutit të …