ITSHKSH dhe ASHAK drejt një bashkëpunimi konkret

Prishtinë, 15 tetor – Sot në Prishtinë është realizuar një takim pune në mes të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Krajës dhe Dr. Skender Asanit, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Bashkëpunimi shkencor i të dy institucioneve, u vlerësua si prioritet që duhet zhvilluar në të ardhmen, sidomos në këmbimin e përvojave dhe njohurive në ato fusha ku ASHAK dhe ITSHKSH mund të gjejnë pikëtakime të përbashkëta.
Dr. Asani e njoftoi kryetarin e ASHAK, Akademik Mehmet Krajën, me ecurinë e aktiviteteve hulumtuese e shkencore të ITSHKSH, duke vënë në pah disa nga projektet kryesore që janë realizuar brenda periudhës së fundit kohore. Me këtë rast u përmend përmbyllja me sukses e betejave kulturore që ka zhvilluar ITSHKSH në mbrojtjen e kauzave kombëtare e humane, që ndërlidhen me figurën e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Tereze, vepra dhe figura e së cilës në të ardhmen pritet të vendoset nën mbrojtje të shtetit.
Studiuesit dhe bashkëpunëtorët shkencor të ITSHKSH në Shkup kanë pasur fokus interesimi edhe disa fusha me interes të posaçëm, ku pa dyshim duhet veçuar botimin e disa veprave dhe doracakëve që afirmojnë për herë të parë, përmes materialeve autentike arkivore, kronikën e gjatë të vuajtjeve të Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo temë është një prej preokupimeve kryesore të Departamentit për studimin dhe edukimin e Holokaustit pranë ITSHKSH, kurse në të ardhmen përmes një bashkëpunimi konkret mund të sendërtohet në ndonjë projekt të përbashkët me ASHAK-në.
Dr. Asani dhe Akademik Kraja premtuan mbështetje reciproke për të gjitha projektet që konsiderohen si interes i përbashkët, duke ofruar me këtë rast jo vetëm përvojë por edhe logjistikë shkencore e hulumtuese.
Shumë shpejt kjo frymë e komunikimit dhe bashkëpunimit do të draftohet në një marrëveshje konkrete, e cila pritet të nënshkruhet nga drejtuesit e dy institucioneve.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Republika e Kosovës është fqinj verior i Republikës së Maqedonisë së Veriut!

(në vend të reagimit) Këto ditë doli nga shtypi “Atlasi gjuhësor i dialekteve maqedonase” (Лингвистички …