Instituti merr pjesë në tribunë për Kongresin e Berlinit në Novi Pazar

Të premten (12 korrik 2019) studiuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Ismaedin Azizi dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi, morën pjesë në tribunën e organizuar nga Këshilli Nacional i Boshnjakëve në Novi Pazar, që e shënoi 141-vjetorin e Kongresit të Berlinit dhe shpalljen e Sanxhakut të Pazarit si zonë me status special. Në këtë tribunë në fillim foli Dr. Rizvan Haliloviq nga Sarajeva, i cili tha se kjo datë duhet të jetë festë për Sanxhakun, sepse ashtu së pari herë në histori njihet integriteti tërësor territorial i Sanxhakut, ndonëse mbeti zonë nën ushtrinë Austro-Hungareze dhe administrimin osman. Pas tij foli Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili – në cilësinë e Sekretarit Shkencor – e falënderoi organizatorin e kësaj tribune për ftesën dhe shprehu gatishmërinë që në këtë mënyrë të vendoset urat e komunikimit ndërmjet Institutit dhe institucioneve shkencore e kulturore të komunitetit boshnjak. Ai po ashtu theksoi edhe se Instituti është ndoshta institucioni i vetëm shkencor shqiptar që ka shprehur interes për këtë ndërlidhje, duke u marrë në veçanti me Xhemijetin, si organizatë politike në kohën e Mbretërisë SKS, një parti e themeluar nga shqiptarët, ku merrnin pjesë edhe boshnjakët dhe turqit. Madje, ai tha se Instituti sivjet do ta shënojë 100-vjetorin e kësaj ngjarje dhe pret bashkëpunim edhe nga komuniteti boshnjak. Pastaj foli edhe historiani, Dr. Isamedin Azizi, i cili tha se Kongresi i Berlinit e ka shkaktuar edhe Lidhjen e Prizrenit, që ishte një organizim i shqiptarëve për t’i mbrojtur kufijtë etnikë prej shteteve të reja, Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa vetë Lidhja përfshinte në vete edhe boshnjakë, qoftë të Sanxhakut ose të Bosnjës, që po ashtu u organizuan edhe ushtarakisht për mbrojtjen e kufijve të Perandorisë Osmane. Në fund të tribunës u zhvillua edhe një diskutim i dobishëm dhe i frytshëm në lidhje implikimet e Kongresit të Berlinit për boshnjakët dhe shqiptarët, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre dy komuniteteve.

Shikoni gjithashtu

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”) …