Institucionalizohet Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë

Shkup, 5.9.2019 – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me rastin e trevjetorit të shenjtërimit, sot mori pjesë në institucionalizimin e themelimit të Departamentit të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili do të funksionojë në kuadër të Sektorit të veprimtarisë hulumtuese shkencore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Osmani u shpreh i entuziazmuar për faktin që për herë të parë në botë themelohet një departament i këtij lloji, pikërisht në vendlindjen e humanistes së madhe botërore, pas një mori emërtimesh të institucioneve të ndryshme që janë bërë në të kaluarën. Sipas tij, solidariteti është një nga vlerat fundamentale evropiane, e cila përmes Sekretariatit për Çështje Evropiane, po mundohet t’i përçojë dhe kultivojë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Drejtori i ITSHKSh-së, Skender Asani, falënderoi zëvendëskryeministrin Osmani për mbështetjen e Qeverisë në progresin e Institutit kohëve të fundit, me hapjen e tij më të madhe drejt botës shkencore dhe kushteve më të mira për punë. Ai njoftoi se Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, është departamenti i dhjetë i Institutit, i cili në mënyrë serioze shkencore do të merret me hulumtimin dhe studimin e jetës dhe veprës së kësaj figure të madhe të njerëzimit.

Vendimi për themelimin e këtij departamenti të ri është marrë nga Këshilli i Institutit në mbledhjen e një dite më parë.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

KUAZAT HUMANE TË NËNË TEREZËS, UDHËRRËFYES PËR TË SOTMEN DHE TË ARDHMEN TONË

KUAZAT HUMANE TË NËNË TEREZËS, UDHËRRËFYES PËR TË SOTMEN DHE TË ARDHMEN TONË Sot në …