Gjuha shqipe e Gonxhe Bojaxhiut, në sheshin e Shkupit

Shkup, 27.6.2020 – Dyzet vjet më parë nobelistja e paqes Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza u shpall qytetare nderi i Shkupit. Sot, pas dyzet vjetësh, në vendin ku gjendet shtëpia ku lindi ajo në qendër të Shkupit, u vendosën lule.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve njoftoi se departamenti i cili do të duhet të grumbullojë dhe arkivojë kujtime për Nënën Terezën tashmë ishte regjistruar edhe në Regjistrin Qendror, dhe ka marrë tiparin e një institucioni shtetëror.

“Do të merret me studime dhe kultivimin e shumëanshëm të figurës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, duke e ngritur në shkallë institucionale kulturën e mbamendjes kolektive”, tha drejtori Skender Asani. Ai duke komentuar vendosjen e pllakës përkujtimore edhe në gjuhën shqipe, tha se tash e tutje gjuha e Nënë Terezës do të jetë e stampuar bashkë me gjuhët tjera në pllakën përkujtimore, një fakt ky që plotëson mozaikun e realitetit tonë shumetnik e shumgjuhësor.

Vendimi për institucionalizimin e departamentit u dorëzua nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili u shpreh i lumtur që ky Departament, i vetmi në rajon e botë, do të merret me hulumtimin shkencor të trashëgimisë, jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.

Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, i cili theksoi se prej sot, pllaka përkujtimore e cila shënon vendin ku lindi Nënë Tereza, është edhe në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë kjo gjuhë do të qëndrojë e barabartë pranë gjuhëve të tjera. Natyrisht ky akt përkon edhe me zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe, punë kjo të cilën tanimë e kryen me sukses AZGJ-ja.

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Dr. Asani, pjesëmarrës në takimin vjetor botëror të programit MERRI

Shkup, 17.09.2020 –  Për tri ditë me radhë (15,16,17 shtator), me ftesë të Departamentit të …