Fjalimi i drejtorit të ITSHKSH-së Skender Asani me rastin e 4 vjetorit të shejtërimit të Nënës Terezë

Dita e sotme për Institutin tonë është shumë e veçantë dhe veçanërisht e rëndësishme. Dy vitet e kaluara fillimi i shtatorit nga gjente në SHBA, ku e kemi organizuar javën kulturore shqiptare, duke e bërë këtë në shenjë të kujtimit të tragjedisë së 11 Shtatorit. Dhe, siç tashmë e dini, java e tillë kulturore ka qenë një freski e mirë jo vetëm për komunitetin shqiptar në Amerikë, por edhe për krijimin dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira shqiptaro-amerikane. E sivjet, kur për shkak ta pandemisë nuk kishim mundësi të jemi në SHBA, kemi gjetur një arsye të veçantë për ta shënuar këtë përvjetor, por edhe për të dëshmuar se, pavarësisht ku jemi fizikisht, detyrimi ynë intelektual nuk resht.

Të nderuar të pranishëm në këtë ngjarje,
Emri që sot na ka mbledhur këtu është humanistja më e madhe e botës, nobelistja e vetme shqiptare dhe shkupjane, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze ose, më saktë, Shën Tereza. Është libri i prof. Anton Nikë Berishës “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’” arsyeja që ne sivjet kujtimin për 11 Shtatorin po e shënojmë duke e promovuar këtë doracak, që në vetvete e ka edhe simbolikën e mesazhit të Nënës Terezë se kjo botë nuk është e uritur vetëm për bukë, por edhe për dashuri. Një vajzë e re nga Shkupi ia nisi jetës në fillim të shekullit të kaluar pikërisht në këtë qytet me përkushtim të veçantë për Zotin, ndërsa e përfundoi shekullin duke u bërë gruaja më e famshme e qindvjeçarit të 19-të dhe shenjtorja e shekullit të 20-të. Për një njeri që i përket botës sonë ky është një sukses që na bën të mburremi shumëfish: para së gjithash si njerëz, ndërsa veçanërisht si shqiptarë, por pse jo edhe si shkupjanë. Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, lënda me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë dhe si shkupjanë është pikërisht emri Shën Tereza.
E duke qenë sot në përvjetorin e katërt të shenjtërimit të saj dhe duke e kujtuar 11 Shtatorin, dëshirojmë të përçojmë mesazhin se kjo botë ka nevojë për dashurinë dhe zemrën e Nënës Terezë, që tash është sublimuar në këtë doracak të përgatitur nga prof. Anton Nikë Berisha. Ndonëse për Nënën Tereze janë shkruar shumë libra dhe sigurisht do të shkruhen akoma, megjithatë jam i bindur se ky doracak, i botuar nga Instituti ynë në këtë përvjetor, një kohë të gjatë do të jetë vepra më sintetizuese për Nënën Tereze. Përveç kësaj, botimi i realizuar në tri gjuhë, është një kontribut modest pikërisht siç ishte jeta dhe vepra e Nënës Tereze. Ai sot u dorëzohet dhe u drejtohet shqiptarëve, maqedonasve dhe gjithë botës, duke përçuar mesazhin se nëse kjo botë do të ujitej me dashurinë e kësaj gruaje, sigurisht që në të nuk do të ndodhnin ngjarje makabre si ajo e 11 Shtatorit.
Ajo që e bën të rëndësishëm këtë përvjetor është edhe fakti se ai vjen pas rivendosjes së pllakës përkujtimore në sheshin e Shkupit, që për ata që i kuptojnë këto shenja, është arritje historike, sepse kështu e kemi kthyer Gonxhe Bojaxhiun përfundimisht në identitetin e saj autokton dhe gjurmët e saj tashmë janë të dukshme e prekshme në epiqendrën e Shkupit. Prandaj, si drejtues i këtij instituti, kam kënaqësi që pikërisht ky institucion, përmes departamentit që kujdeset për trashëgiminë e Nënës Tereze, ia doli në përmbushjen e këtij detyrimi.
Duke e përfunduar fjalën time, pavarësisht se ne jemi të entuziazmuar me hapjen e këtij departamenti, me shpalosjen e pllakës përkujtimore, me botimin e librit “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nëna Tereze” dhe sot me përurimin e doracakut të prof. Anton Berishës, nuk mund të mos e themi atë që e thoshte vetë ajo se veprat nuk maten për nga sasia, por për nga dashuria me të cilën i bëjmë ato.
E duke jetuar në një botë të diversiteteve, të gjitha këto vepra janë sihariq se tashmë në atdheun e Nënës Tereze është një institucion shkencor, kulturor e shpirtëror që kujdeset në mënyrën më të mirë për personalitetin e saj dhe që shembullin e jetës së saj e ofron si model të perceptimit të botës dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndërkomunitare, që jam i bindur se, si i tillë, është një matricë e dobishme edhe për gjeografinë tonë shumetnike e shumëfetare.

E, thjesht në fund, duke ju falënderuar që sot ishit në këtë përurim, po e përfundoj fjalën time me një citat të kësaj vepre, që në të vërtetë është citim nga deklarimi i Papës Gjon Pali i Dytë në trevjetorin e vdekjes së Nënës Tereze. Me këtë rast ai tha: “Me kalimin e viteve kujtimi i saj bëhet më i gjallë se asnjëherë tjetër. E kujtojmë me buzëqeshjen e saj, me sytë e saj të thellë, me kurorën e saj të rruzares, me dashurinë e saj konkrete, të gjallë, që e shpinte atje ku pak vetë kishin guximin të shkonin, ku mjerimi ishte aq i madh sa të fuste frikën. Më bëhet se e shoh ende në shtegtimin nëpër botë duke i kërkuar të varfrit nga më të varfrit, përherë e gatshme të krijonte hapësira të reja të dashurisë, e mirëpritur nga të gjithë si një nënë e vërtetë.

Kjo ishte Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza.

Ju faleminderit!

Dr. Skender Asani,
Drejtor i ITSHKSH-së

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Dr. Asani, pjesëmarrës në takimin vjetor botëror të programit MERRI

Shkup, 17.09.2020 –  Për tri ditë me radhë (15,16,17 shtator), me ftesë të Departamentit të …