“Ditët e Alfabetit”, përkujtohen dy perlat e muzikës shqiptare – Nexhmije Pagarusha dhe Hanife Reçani

Shkup, 16.11.2020 – Manifestimit kulturor–shkencor  “Ditët e Alfabetit”, vazhdoi në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup (ITShKSh), duke përkujtuar dy perlat e muzikës shqiptare – Nexhmije Pagarusha dhe Hanife Sejfullah Reçani.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, në fjalën e tij tha se Nexhmije Pagarusha dhe Hanife Sejfulla Reçani, janë emblema të emancipimit tonë kombëtar, por edhe treguesi më real i arritjeve të tyre në saje të talentit dhe përkushtimit ndaj këngës. “Që të dyja krijuan identitetin e tyre vokal dhe interpretues, prandaj jo ratësisht këngët e tyre janë të pavdekshme. Ato edhe sot dëgjohen me ëndje dhe ky është tregues më i mirë i rezistimit të vlerave të mirëfillta muzikore ndaj kiçit dhe tallavasë. Ndonëse që të dyja vijnë nga treva të ndryshme shqiptare, ato megjithatë sjellin mozaikun e koloritit të pasur të këngës shqipe dhe si të tilla ato mund të konsiderohen edhe si begati kulturore që mbajnë gjallë dhe frymëzojnë brezat e rinjë në kultivimin e vlerave krijuese mbi tabanin e trashëgimisë sonë të pasur muzikore”, theksoi Asani.

Më pas, studiuesja Rreze Kryeziu nga Universiteti i Prishtinës, përmes video-konferencës referoi për ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, duke u ndalë në ca dromca nga jeta dhe vepra e saj e bujshme muzikore dhe artistike. Lidhur me veprimtarinë muzikore të Pagarushës, dhe veçanërisht për këngën e njohur “Baresha”, u lexua kumtesa e studiuesve Ermal Mehmeti dhe Jeta Starova-Mehmeti.

Rreth veprimtarisë së bujshme muzikore të këngëtares së njohur popullore Hanife Sejfulla Reçani nga Gostivari, referuan stuiuesit Bekim Ramadani nga Universiteti “Fadil Sulejmani” – Tetovë dhe Agim Poshka nga Universiteti i Evropës Juglindore, si dhe shkrimtari dhe publicisti Lulzim Haziri. Ata theksuan rëndësinë e kësaj figure të madhe të muzikës shqiptare, veçanërisht në trevat shqiptare të Maqedonisë, për të cilën deri më tani është bërë shumë pak në aspekt të ndriçimit të vlerave të saja muzikore dhe artistike.

Të gjitha referimet gjatë këtij aktiviteti, sikurse edhe të gjitha aktivitetet e radhës së këtij manifesimi kulturor-shkencor, do të botohen në vëllimin e dytë të edicionit të veçantë “Ditët e Alfabetit”.

Për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë, aktivitetet e sivjetme po zhvillohen duke respektuar protokollet e Ministrisë̈ së Shëndetësisë̈ dhe kryesisht pa praninë̈ e publikut të gjerë!

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH DO TË JETË PËR MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E SHOQËROR / MK-EN

ITSHKSH DO TË JETË PËR  MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E …