Agron Salihi, asistent në ITSHKSH, mbronë tezën e magjistraturës në USHT

a1Tetovë/Shkup – Më 15 shkurt 2013, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore pranë Universitetit Shtetërorë të Tetovës, Agron Salihi mbrojti me sukses tezën e magjistraturës me temë: “Lëvizjet demografike në Rajonin e Pollogut (1953-2002)”.  Salihi është asistent i ri hulumtues në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në sektorin e Historisë se Shqiptarëve dhe Lëvizjeve Demografike

Agron Salihi është kandidati i parë i cili e mbron me sukses temën e magjistraturës në programin studimor të Gjeografisë. Ai e mbrojti magjistraturën me temën “Lëvizjet demografike në Rajonin e Pollogut (1953- 2002)”, para komisionit: Prof. dr. Fauzi Skenderi, mentor, (anëtar), Prof. dr. Sabri Laçi, kryetar komisioni dhe Doc. dr. Resul Hamiti, anëtar.

Kandidati Agron Salihi, në studimin e tij, shqyrton veçoritë demografike në rajonin e Pollogut, gjegjësisht: lëvizja e numrit të popullsisë, veçorive strukturore të popullsisë, migrimet e popullsisë etj. Ai ka përdorur disa  metoda kërkimore-hulumtuese, duke filluar prej analizave statistikore, analizës komparative, hartografike etj.

Kandidati ka shqyrtuar pozitën gjeografike të Pollogut, veçoritë fiziko-gjeografike, kushtet e bazës natyrore gjeografike, elementet klimatike, relievore, hidrologjike, si dhe veçanti të tjera që e përbëjnë tërësinë komplekse të rajonit.

Në kapitullin e parë janë përfshirë veçoritë e zhvillimit demografik, ku është fokusuar në autoktoninë, prejardhjen dhe gjurmët më të hershme të popullimit të këtij rajoni, pastaj për vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe jetën qytetare gjatë gjithë etapave historike. Ai i merr në shqyrtim edhe faktorët socio-ekonomik, si ndër më kryesorët që ndikojnë në sigurimin e mirëqenies sociale.

Në kapitullin e dytë fokusohet te veçoritë e lëvizjes natyrore të popullsisë, që ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik të një rajoni apo shteti. Ai fokusohet edhe te lëvizja natyrore e popullsisë, që ka ndikim thelbësor në ndryshimet e strukturës së popullsisë siç janë: lindshmëria, vdekshmëria dhe shtimi natyror.

Në kapitullin e tretë kandidati ka trajtuar çështjen e migrimeve, e pranishme në popullatën shqiptare gjatë shekujve. Emigrimi i shqiptarëve, që ka nisur në periudhën e pushtimeve romake, është përsëritur pas çdo okupimi të trevave shqiptare nga sllavët, turqit etj.

Në kapitullin e katërt kandidati është përqendruar te karakteristikat strukturore të popullsisë, ku bën pjesë struktura e popullsisë sipas gjinisë dhe moshës. Gjithashtu ka përfshirë edhe përbërjen kombëtare, arsimore, fetare, numrin dhe madhësinë e familjeve në Pollog.

Autori sugjeron që Rajoni i Pollogut i ka të gjitha parakushtet për zhvillim të shpejtë socio-ekonomik, por duhet plan strategjik për ndërtimin e kapaciteteve ekonomike; duhen masa për parandalimin e migrimit të popullatës, nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës, si dhe nevojitet rritja e kujdesit shëndetësor dhe përmirësimi i nivelit të shkollimit. Sipas Agron Salihit, krahas masave të tjera, është domosdoshmëri që pushteti vendor dhe institucionet tjera të përfshihen në rrjedhat demografike, që të garantojnë vitalitetin dhe riprodhimin e qëndrueshëm të popullsisë, pastaj përkujdesjes së veçantë ndaj fëmijëve, grave dhe të moshuarve.

Agron Salihi është asistent i ri hulumtues në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në sektorin e Historisë se Shqiptarëve dhe Lëvizjeve Demografike.

 a2

————————————————————————————————————————————-

 

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

KUAZAT HUMANE TË NËNË TEREZËS, UDHËRRËFYES PËR TË SOTMEN DHE TË ARDHMEN TONË

KUAZAT HUMANE TË NËNË TEREZËS, UDHËRRËFYES PËR TË SOTMEN DHE TË ARDHMEN TONË Sot në …

Lini një Përgjigje