ITSH – Ekspozita dhe libri dokumentar “Rrugëtimi”, promovohen në Nju Jork

Ekspozita dhe libri dokumentar “Rrugëtimi”, promovohen në Nju Jork

111

Nju Jork, 9-16 maj – Në vigjilje të Ditës ndërkombëtare kundër fashizmit, sot në Nju Jork të SHBA-ve u hap ekspozita dhe u promovua libri dokumentar trigjuhësor “Rrugëtimi – Патешествие – Journey”, i autorëve Skender Asani dhe Albert Rama.

Drejori i ITSHKSH-së, dr.Skender Asani, tha se nëpërmjet kësaj ekspozite dhe këtij libri dokumentar, jemi munduar për të pasqyruar ngjarjet, dëshmitë, fotografitë, dokumentet dhe materialet arkivore të Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe të rikujtojmë se sa e rëndësishme është paqja dhe sa e rëndësishme është jeta e njeriut. “Fatkeqësia që i goditi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përveç dhimbjes që ende është e gjallë në zemrat e njerëzve, ajo shërben edhe si mësim i mirë se çfarë mund t’i ndodhë botës nëse jemi të shkujdesur. Madje, pakujdesia është armiku më i madh i historisë. Duke mos qenë të kujdesshëm, ne me indiferencën tonë i ndihmojmë dhunës, terrorit dhe vrasjeve”, deklaroi Asani.
Në hapje të ekspozitës foli dhe kryetari i Komunës Çair të Shkupit, Izet Mexhiti, i cili tha se Republika e Maqedonisë, është duke kaluar momente dramatike kohën e fundit, në përpjekje për të mënjanuar dallimet etnike a fetare, për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe për të rritur besueshmërinë në njëri-tjetrin. “Ngjarjet si këto të Luftës së Dytë Botërore, që janë pjesë e kësaj ekspozite dhe këtij libri, na kujtojnë shumë shembuj pozitiv të këtij bashkëpunimi,
të cilët duhet edhe sot t’i kultivojmë. Mjafton të kujtojmë rastin e shpëtimit të familjes hebreje Frances. Marrëveshja dhe lidhja e besës u bë pikërisht në Çarshinë e Vjetër të Çairit, në Shkupin tonë të përbashkët, shumëetnik e shumëreligjioz, ku iu la në besë shqiptarit Veli Meliqi, familja pesëanëtarëshe hebreje Frencis, për te shpëtuar andej kufirit shqiptar”, u shpreh Mexhiti.

Në këtë event fjalën e mori edhe punëtori i Institutit, dr.Sevdail Demiri, gazetari Qazim Doda, etj., të cilët theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti, që nxjerr në pah kontributin e shqiptarëve në një periudhë të caktuar historike.

Nëpër këto dokumente, shumica e të cilave publikohen për herë të parë, përshkruhen ngjarjet dramatike të Luftës së Dytë Botërore, me theks të veçantë të territorit të sotëm të Maqedonisë, zonat e qyteteve të Shkupit, Shtipit dhe Manastirit, prej ku u mblodhën gjithsej 7.144 hebrenj, apo 98% e popullatës së përgjithshme hebreje nga Maqedonia e sotme, dhe gjatë datave 22, 25 dhe 29 mars 1943, u deportuan në kampet e përqendrimit në Treblinka të Polonisë, për të mos u kthyer kurrë.

Ekspozita dhe libri dokumentar zgjuan interesim të madh në qarqet diplomatike amerikane, dhe veçanërisht brenda komunitetit shqiptar dhe hebre. Në mesin e shumë figurave publike, ishte prezente edhe ambasadorja shqiptare në Misionin e OKB-së në Nju Jork, znj.Besiana Kadare, kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane, dr.Skender Kodra, aktori i njohur Xhevat Limani, gazetari Qazim Doda, etj.

Gjatë qëndrimit në SHBA, drejtori i ITSHKSH, dr.Skender Asani, ishte mysafir në lajmet qendrore të VOA (Zërit të Amerikës – http://www.zeriamerikes.com/a/3844690.html ), ku me gazetarin Ilir Ikonomi, bisedoi rreth aktivitetit kulturor në Nju Jork, dhe zhvillimeve të fundit në botën shqiptare.

Delegacioni i Institutit, dr.Skender Asani dhe dr.Sevdail Demiri, ishin mysafir edhe në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit, ku u pritën nga shumë bashkëatdhetarë, kryesisht nga rajoni i Strugës, me të cilët bashkëbiseduan lidhur me zhvillimet e fundit kulturore, shkencore e shoqërore në Maqedoni. Kësaj qendre i dhuruan një pjesë të konsiderueshme të botimeve të fundit të Institutit, si dhe promovuan librin “Rrugëtimi”.

222

333444555