Dy projektet tematike për Bllacën, u promovuan në Prishtinë

Prishtinë, 21.06.2019 –  Sot në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve–Shkup, duke iu bashkëngjitur aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të luftës, eksodit dhe çlirimit të Kosovës, promovoi dy projekte të rëndësishme tematike: librin e Emin Azemit “Bllaca – Dhimbja e lirisë”, dhe elaboratin e Qendrës Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë 99”.

Në emër të Institutit, foli historiani dhe publicisti Sevdail Demiri, i cili në cilësinë e recensentit tha se materialet e këtij libri flasin për vuajtjet e të dëbuarve, bashkë me rrëfimet e tyre për dhunën dhe masakrat e kryera ndaj civilëve, flasin për ndihmën e pakursyer të shqiptarëve të këtushëm, shoqatave të shumta humanitare. “Arsenali kryesor i teksteve të botuara në këtë libër, është pjesë e një mjeti të fuqishëm mediatik të kohës për të cilën po flasim, të të përditshmes informative FAKTI, si gazeta e parë e pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni. Për luftën çlirimtare dhe krizën humanitare nëpër të cilën kaluan vëllezërit nga Kosova, gazeta FAKTI në Shkup, ishte një nga burimet kryesore, jo vetëm se të opinionit vendor, por edhe atij ndërkombëtar”, tha Demiri.

Profesori i komunikimit, Arben Fetoshi u shpreh se dimensioni më i rëndësishëm, ose vlera e parë e librit, është ‘memorizimi’ i fakteve për një pjesë të historisë tonë, që shërben po ashtu si burim i sistemuar për studiuesit shqiptarë në të ardhmen. Ndërsa, gazetari Arben Veselaj tha se ky libër përmbledh shkrimet për vuajtjet e të zhvendosurve shqiptarë në disa kampe.

Autori i librit, Emin Azemi tha se ky libër është një  përmbledhje e aktakuzave që do të duhej të procedoheshin nga dikush në mënyrë që gjenocidi serb të marr dënimin e duhur.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në trojet e veta, Jahja Lluka, foli në veçanti për elaboratin e Qendrës Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë 99”, si një projekt i përbashkët me Institutin, i cili mëton të lidhë historinë shqiptare në të dyja anët e kufirit.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH DO TË JETË PËR MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E SHOQËROR / MK-EN

ITSHKSH DO TË JETË PËR  MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E …