Bërns: SHBA-të e çmojnë fort rëndësinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore

Fjalimi i plotë i ambasadores amerikane në Shkup, znj. Kejt Bërns, në ITSHKSH-Shkup, më 22.11.2020:

“Mirëdita.  Jam shumë e nderuar që gjendem sot në këtë ngjarje e cila shënon dy përvjetorë të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe në veçanti për komunitetin shqiptar – Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe dhe përvjetorin e 13-të të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.  Jam posaçërisht e lumtur që jam në këtë sallë që mban emrin e presidentit tonë Woodrow Wilson dhe në këtë ndërtesë e cila ishte shtëpia e Ambasadës amerikane për vite të tëra.

Në vitin 2013, Ambasada amerikane vendosi të financojë një vizitë studimore për një grup etnikisht të përzier të historianëve, i përbërë kryesisht nga stafi i ITSHKSH-së.  Ata shkuan në SHBA, por kush mund ta merrte me mend sa shumë suksese do të vijonin pas kësaj vizite – nga publikimet e përbashkëta dhe konferencat ndërkombëtare te krijimi i koalicioneve për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm deri tek puna e përbashkët për avancimin e lirive fetare dhe ndihmesa për ta miratuar dhe ligjëruar definicionin punues të IHRA-s mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit – unë ju përgëzoj të gjithëve për energjinë e jashtëzakonshme që keni investuar në punën tuaj të përditshme dhe vendosjen e kontakteve. Këto suksese sigurisht që do të ishin të pamundura pa një bashkëpunim të sinqertë e të hapur midis historianëve dhe hulumtuesve nga përkatësi të ndryshme etnike, kombëtare, fetare dhe me profesione të ndryshme. Mu në këtë frymë do të dëshiroja ta shoh Maqedoninë e Veriut të vazhdojë ta ndjek përparimin, jo vetëm për t’i tejkaluar interpretimet kundërthënëse mbi historinë, por për të ndërtuar kohezion të mirëfilltë, si dhe për ta shndërruar historinë në një element konstruktiv në vend se të shërbejë si burim i mospajtimeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e çmojnë fort rëndësinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, si dhe atë të diversitetit në Maqedoninë e Veriut.  Prandaj, ne do të vazhdojmë të promovojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis komuniteteve në këtë vend.

Në fund, më lejoni t’ia uroj Dr. Asanit dhe të gjithë kolegëve të tij këtë përvjetor të Institutit, si dhe t’u uroj të gjithëve në Maqedoninë e Veriut Ditën e Alfabetit Shqip!  Gëzuar Ditën e Alfabetit!

Urime dhe faleminderit!”

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH vizitoi dhe uroi Kishën Katolike në Shkup me rastin e Krishtlindjes / ИДКНА ја посети Католичката црква во Скопје по повод христовото раѓање

ITSHKSH VIZITON DHE URON KISHËN KATOLIKE NË SHKUP ME RASTIN E KRISHTLINDJES SHKUP, 24 DHJETOR …