Punëtori shkencor i ITSHKSH-së, Sefer Tahiri, dekorohet me çmimin “13 Nëntori”

Shkup, 13.11.2018 – Me rastin e 74 vjetorit të çlirimit të Qytetit të Shkupit, në Filharmoninë e Maqedonisë u ndanë çmimet “13 Nëntori”, ndërsa fituesit e këtij viti u prezantuan nga kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov.

Bashkëpunëtori i lartë shkencor nëi Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Prof. Dr. Sefer Tahiri fitoi çmimin në fushën e publicistikës për kontribut 20 vjeçar në zhvillimin e gazetarisë dhe publicistikës. Tahiri në Institut punon nga viti 2011, ndërsa është autor i veprës shkencore “Trajtesa identitare” dhe bashkëautor i veprës shkencore “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”.

Sefer Tahiri ka diplomuar në Katedrën e Gazetarisë pranë Fakultetit juridik në Shkup, ndërsa studimet master i kreu në Institutin për hulumtime sociologjike, politike dhe juridike në Shkup, në programin studimor Komunikim. Magjistroi me mbrojtjen e tezës me temë „Ndikimi i partive politike në politikën redaktuese të shtëpive televizive komerciale“, ndërsa doktoroi në Universitetin Nju Jork në Shkup, ku edhe mbrojti disertacionin e doktoraturës me temën „Ndikimi i partive politike në politikën redaktuese të Shërbimit radiodifuziv publik – Radiotelevizioni Maqedonas (në periudhën 1998-2006)“.

Që nga viti 2008 ligjëron në grupin e lëndëve nga fusha e mediave dhe komunikimit pranë Fakultetit për gjuhë, kultura dhe komunikime të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Në vitin 2009 ishte i angazhuar edhe në Katedrën për gazetari pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës. Tahiri ka përvojë pune shumëvjeçare vjeçare në gazetari. Në periudhën 1998-2000 ishte gazetar dhe redaktor i gazetës Fakti, nga viti 2000 deri 2006 ishte redaktor i lajmeve dhe zëvendëskryeredaktor i Programit në gjuhën shqipe të TVM-së, ndërsa nga viti 2006 deri 2008 zëvendëskryeredaktor i Televizionit ALSAT-M. Në vitin 2010 ishte redaktor i ueb faqes së ALSAT-М. Paralelisht me angazhimin në mediat nacionale, nga viti 2001 deri 2011 ishte korrespondent i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi-Programi në Gjuhën Shqipe. Ka marrë pjesë në projekte të ndryshme hulumtuese, të realizuara nga Instituti Maqedonas për Media dhe Shkolla e lartë për gazetari dhe marrëdhënie me opinionin.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Nisi projekti “Instituti dhuron libra!”

  Shkup, 22.01.2020 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup nisi realizimin …