Asani: Bashkë, si para 110 – viteve

Më vjen mirë dhe jam i lumtur që këtë vit të përvjetorëve po e përmbyllim pikërisht në Manastir. Në të vërtetë, shënimi i përvjetorëve të mëdhenj të këtij viti u fillua në Shkup, në fillim të vitit, pra në janar, kur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, nën patronazhin e Kryetarit të Kuvendit e shënuam 550-vjetorin e vdekjes së Kryeheroit kombëtar, Skënderbeut. Vazhduam pastaj, gjatë qershorit, në Prizren, ku – nën patronazhin e Kryeministrit të Kosovës, shënuam 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, më pas kremtuam edhe në Tiranë dhe ja tash sërish po kthehemi përsëri në Maqedoni, kësaj radhe në Manastirin e Kongresit të Alfabetit në përvjetorin e 110-të të tij.

Dhe, kur vijmë në Manastir në një përvjetor kaq të madh, nuk mund të mos ngazëllehemi dhe të mos e ndjejmë emocionin që para një shekulli e dhjetë viteve e kishin Mid’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Nyzhet bej Vrioni, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli e intelektualët e tjerë të kohës, që – derisa punonin për ta nxjerrë në dritë një alfabet unik kombëtar – mbase nuk e dinin se ashtu po bëheshin edhe arkitektët e shqiptarizmës. Nuk mund të mos mahnitesh kur në këtë kongres një 28-vjeçar si Mid’hat Frashëri vinte me një vizion që i mahiste edhe kokat më të ndritura të kombit. Ose, kur një hoxhë ngrihej dhe e përqafonte At Fishtën për fjalimin e tij prekës dhe historik. Janë këto shkëndija historike, që edhe sot na bëjnë të ndjehemi të vegjël para tyre dhe të mahnitemi me punën e këtyre kolosëve.

Prandaj, të respektuar të pranishëm, tash kur në vitin 2018 po e përmbyllim 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, që ngadalë e kemi zbritur nga prirjet ideologjike dhe mitike, për ta rrafshuar me interesat strategjike kombëtare dhe kur Lidhjen e Prizrenit e kemi quajtur skica e shtetit shqiptar në Ballkan, do të ishte e padrejtë të mos themi se vulën e kombndërtimit të shqiptarëve e bëri pikërisht Kongresi i Manastirit. Pikërisht këtu në Manastir u projektua kombi shqiptar në kuptimin modern të këtij termi, sepse hartimi i një alfabeti, që nënkuptonte një kod të përbashkët komunikimi për gjithë kombin, ishte krijimi i indit lidhor të kombit, ishte llaçi që do t’i lidhte të gjitha tullat e fragmentuara të shqiptarisë. Nuk është as patetike as e tepërt nëse themi se pa Kongresin e Manastirit nuk ka shqiptari. Për këtë arsye për mua ky nuk është vetëm një kongres që u mor me çështje të gjuhës, por ai ishte një furrë që e poqi identitetin tonë kombëtar. Dhe, nëse e merrni dhe shihni komisionin për hartimin e alfabetit, nuk mund të mos mrekullohesh që aty në 11-12 emra janë përzgjedhur jo vetëm intelektualët më të mirë të kombit, por aty me kujdes e delikatesë janë përzgjedhur edhe identitetet heterogjene shqiptare, që simbolizonin unifikimin e kombit. Aty keni katolikë, myslimanë, ortodoksë, bektashi, protestantë, gegë e toskë, që nuk besoj të jetë diçka spontane dhe e rastësishme, por që është madhështore, sepse në këtë mënyrë u krijua narracioni ose rrëfimi për shqiptarinë si diçka që del përtej dallimeve krahinore e religjioze, diçka që i bashkon të gjitha diversitetet ndërshqiptare.

Nëse për amerikanët është Amerika ajo që i bashkon dhe i shkrin të gjithë dallimet, te shqiptarët është gjuha shqipe, e projektuar në alfabetin e saj në Kongresin e Manastirit, ajo e ngjiz kombin. Prandaj, sipas meje, projekti më i rëndësishëm i kombndërtimit del të jetë pikërisht Kongresi i Alfabetit këtu në Manastir. Rrjedhimisht, edhe ky 110-vjetor mendoj se është vula e përvjetorëve jo vetëm të këtij viti.

Kështu po shënojmë 110 vjet komb në kuptimin modern të këtij termi, që – krahasuar me shumë kombe europiane dhe ballkanike – është një sukses që nuk mund të nënvlerësohet.
Gjëja e fundit që dua ta theksoj është se Kongresi i Manastirit është i lidhur edhe me një përvjetor tjetër në Maqedoni. Ai është përvjetori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, që është themeluar pikërisht më 22 nëntor. Dhe, kjo nuk është e rëndësishme vetëm si moment feste për një institucion shkencor, por është diçka më shumë. Duke qenë të themeluar në këtë datë, edhe ne kemi ndjekur hapat e këtij Kongresi dhe jemi përpjekur të qëndrojmë në frymën e këtij vizioni.

Vetëm në Institutin tonë gjeni botime për Nënën Terezë dhe familjet katolike shqiptare, për Xhemijetin e myslimanëve shqiptarë, për Qiriazët protestantë, për Nolin ortodoks, për historinë tonë më të re ndërmjet dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke e projektuar veten ashtu siç e shihte Mid’hat Frashëri shqiptarizmën. Përmes punës së Institutit po merr formë dhe pamje edhe identiteti jonë kombëtar në Maqedoni dhe kështu vit për viti, vepër pas vepre, ne po e profilizojmë identitetin tonë dhe po e rizbulojmë veten tonë, për ta parë pa paragjykime, pa komplekse dhe pa stereotipa. Kështu, mendoj unë, po ia bëjmë nderin më të madh shqiptarisë, sepse vetëm kjo është rroba që i bën tamam kombit shqiptar.
Në të vërtetë, edhe tubimi jonë këtu sot i ngjan Kongresit të Manastirit dhe duke qenë ne ftuesit e këtij takimi, kjo pak a shumë është metafora e gjithë kësaj që e thashë më sipër.

Duke jua uruar këtë festë mbarëkombëtare, ju falënderoj për kujdesin dhe ju ftoj që të vazhdoni të na mbështetni dhe përkrahni, sepse vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

Manastir, 21.11.2018

Dr. Skender Asani,
Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Nisi projekti “Instituti dhuron libra!”

  Shkup, 22.01.2020 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup nisi realizimin …