Asani: “Skënderbeu – frymëzim për të sotmen dhe të ardhmen”

Prishtinë, 17.01.2020 – Me rastin e 552-vjetorit të vdekjes së Heroin tonë Kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kolegji ILIRIA në Prishtinë, organizoi simpoziumin shkencor me temë: “Skënderbeu në dokumente të panjohura arkivore të vendeve të huaja”, ku morën pjesë historianë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në mesin e pjesëmarrësve panelistë, ishin edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skender Asani, si dhe bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit tonë, Dr. Nebi Dervishi.

Në këtë simpozium shkencor, historiani Asani u paraqit me temën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – model dhe frymëzim për të sotmen dhe të ardhmen”. Sipas tij, në planin shqiptar Skënderbeu është më shumë se hero kombëtar. Përtej trajtimeve mitike e folklorike dhe herë-herë tifozerike e për interesa të ngushta grupore e ideologjike, Skënderbeu është pika që i unifikon shqiptarët. Ai është edhe një Gjergj krishterë, here katolik e here ortodoks, por edhe një Skënderbe mysliman. Ai është emblema e shëmbëllimit të shqiptarit.

“Shqiptarëve u duhet sot një Skënderbe i Rilindjes Kombëtare, një Skënderbe që i bashkon shqiptarët, që i rrafshon dallimet krahinore e fisnore, një Skënderbe që i shkrinë përkatësitë religjioze dhe një Skënderbe që nuk na përplas me asnjë komb tjetër. Në këtë kontekst, Skënderbeu i flet edhe Ballkanit, duke bërë ftesë për paqe dhe bashkëjetesë mes popujve, ndërsa po ky Skënderbe i flet dhe Europës se shqiptarët, por edhe të tjerët në këtë rajon, do të duhet t‘i kthehen origjinës së tyre qytetërimore në Perëndim”, tha veç tjerash Asani në paraqitjen e tij.

Kohë më parë, ITSHKSH-Shkup nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin ILIRIA, dhe ky është bashkëpunimi i parë fryt i asaj marrëveshjeje.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

NA PRET NJË UDHËTIM I GJATË SHKENCOR NGA GONXHE BOJAXHIU TEK NËNË TEREZA

Fjalimi i drejtorit të ITSHKSH-Shkup, Dr. Skender Asani, me rastin e hapjes zyrtare të Departamentit të …