Përkujtimi i ndritshëm për Zonjën e Parë të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi

Shkup, 22.11.2020 – Dita finale e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITSHKSH-Shkup, kur shënohet edhe përvjetori i themelimit të Institutit, iu kushtua Zonjës së Parët të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi, e cila sivjet i mbushë 50-vjet nga kalimi në amshim.

Në nderim të këtyre datave të rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, gjatë aktivitetit të sotëm morën pjesë ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns dhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, në fjalën e tij tha se pikërisht në ditën kur 112 vjet më parë i mbylli punimet Kongresi i Manastirit, përkujtojmë njërën nga figurat kryesore të kohës, iluministen shqiptare Parashqevi Qiriazi, të cilën e kemi quajtur Zonja e Parët të Alfabetit. Përkunëdër vështirësive që patëm me pandeminë, megjithatë manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i dha një shije të veçantë gjithë këtyre ditëve, duke përkujtuar figura të shquara iluministe, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në emancipimin tonë, nënvizoi Asani.

Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, duke uruar për manifestimin, tha se gjuha është mjet komunikimi, por gjuha amtare është amanet – ajo është fjala e parë që e dëgjojmë në ardhje në këtë botë, dhe e fundit derisa ikim nga kjo botë. “Në gjuhën shqipe, për mua është shumë e ëmbël dhe melodike fjala “Faleminderit”, tha Stefoska.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns, theksoi rëndësinë e respketit të ndërsjellë të kulturave të ndryshme që jetojnë në  Maqedoninë e Veriut. Ajo uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit dhe Institutin për patronazhin, duke inkurajuar vazhdimin e kultivimit të vlerave të përbashkëta, mirëkuptimit dhe tolerancës.

Femi Cakolli, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, u ndal në rëndësinë e misionarëve protestantë në përhapjen e dritës së diturisë diturisë, ku spikaste figura e Parshqevisë.

David Hosaflook, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, foli lidhur me rolin e madh që patën misionaret protestante në përhapjen e shkrim-leximit në mesin e popullatës.

Njëra nga autoret e librit me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, Nora Maliqi-Zylali, theksoi rëndësinë e zbardhjes së këtyre dokumenteve, që flasin për një segment shumë të rëndësishëm të jetës së Parashqevisë, si njëra nga pjesëmarrëset e Konferencës së Parisit në vitin 1919.

Në fund u shfaq filmi dokumentar kushtuar Parshqevi Qiriazit, me kontributin e Jasmina Shopova, Merita Maksuti e Jasna Susha, i cili film do të paraqitet edhe në UNESCO.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH DO TË JETË PËR MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E SHOQËROR / MK-EN

ITSHKSH DO TË JETË PËR  MË SHUMË AJËR NË AMBIENTIN TONË TË PËRBASHKËT KULTUROR E …